Ndryshime në Kodin Penal: Të mos dënohet prostitucioni me dëshirë

166617

Gjykata e Lartë i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shfyqizimin e nenit 113 për Prostitucionin në Kodin Penal me argumentin se dënimi i një gruaje të shfrytëzuar për prostitucion nuk mund të jetë i njëjtë me atë të përfituesit. Po ashtu duhet te shpallet antikushtetues edhe etiketimi i gruas së shfrytëzuar me termin “prostitutë”.

Neni 113 thotë: “Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.

Sipas këtij neni, akuza është e njëjtë si për vajzat që shfrytëzohen për prostitucion edhe për personat që përfitojnë favore seksuale kundrejt lekëve.

Në një intervistë të dhënë, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, është shprehur se me shfuqizimin e nenit 113 të Kodit Penal kërkohet që personat e përfshirë në prostitucion me vullnetin e tyre të mos dënohen, por kjo nuk do të thotë legalizim i veprimtarisë kriminale të shfrytëzimit të grave për prostitucion apo krijim të shtëpive publike.

“Ka shtete të cilat thjesht nuk e dënojnë, por nuk angazhohen në rregullimin e një veprimtarie të tillë. Shfuqizimi i këtij neni nuk sjell legalizimin, nuk sjell as krijimin e shtëpive publike. Nuk bëhet fjalë për heqjen e atyre dispozitave që rregullojnë dhe që dënojnë si vepër penale shfrytëzimin me prostitucionin apo trafikimin për këtë qëllim”, – thotë zonja Baraku.

Sipas Barakut, prostitucioni ekziston dhe në këto kushte ndryshimet ligjore janë të nevojshme, pasi duke ju referuar dhe ndryshimeve të ndodhura për herë të parë në vitin 2012 ajo kujton se në një ushtrim me vullnet të lirë ishte diskriminuese dënimi vetëm i gruas.

Por nëse ky nen do të shfuqizohet apo do të mbesë në fuqi, pritet të vendoset nga Gjykata Kushtetuese e cila më 23 prill do të nisë shqyrtimin e kërkesës së Gjykatës së Lartë.

/shqiptarja.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest