Pedagogët e Universitetit të Tiranës i bashkohen studentëve protestues

Protesta-Per-Universitetin

BIRN | TIRANE 

Studentët e Lëvizjes Për Universitetin organizuan sot në Tiranë protestën më të madhe deri tani kundër projektligjit të propozuar nga qeveria për reformimin e arsimit të lartë duke e konsideruar atë si një projektligj që synon të zhdukë frymën e lëvizjeve demokratike në universitet, si një nismë që synon të vendosë universitetet nën varësinë burrokratike të qeverisë si dhe si një projektligj që synon të financojë universitetet private me fonde publike.

Studentëve që janë në shumicë nga Fakulteti i Shkencave Sociale, nga ai i Shkencave të Natyrës dhe nga Fakulteti i Filologjisë dhe Historisë në Universitetin e Tiranës, iu bashkuan edhe një numër i vogël pedagogësh në protestën e zhvilluar para selisë së kryeministrit Edi Rama.

“Ky është një proces okult rishpërndarjeje që synon të financojë universitetet private në kurriz të studentëve,” deklaroi aktivistja Viktori Çipi në fjalimin e saj.

“Nga ky proces, universitetet publike do të varfërohen edhe më shumë dhe për rrjedhojë, do të duhet të rrisin tarifat e shkollimit, duke e kthyer shkollën në një hapësirë ku do të pranohen vetëm të privilegjuarit dhe vetëm pak aventurierë që do të detyrohen të hyjnë në borxhe,” shtoi ajo.

“Reforma nisi për të ndaluar abuzimet e krijuara në të shkuarën nga procesi i decentralizimit, por përfundoi ndryshe,” deklaroi Profesor Aleksandër Koçani, nga Fakulteti i Shkencave Sociale, i cili qe pjesëmarrës në protestë.

Protesta e studentëve u përshëndet edhe nga analisti Fatos Lubonja. “Kjo është një shenjë e demokracisë,” tha ai. “Ky është një moment i rëndësishëm për demokracinë, pasi nuk është vetëm çështja juaj. Ne shpresën e kemi te ju, te ajo që zëri juaj nuk duhet të thyhet, nuk duhet të ndrydhet, nuk duhet të shtypet sepse ndjejmë që përgjithësisht dominon ideja që nuk kemi fuqi ta ndryshojmë këtë gjendje,” tha Lubonja.

“Kjo është një reformë që e polarizon shoqërinë shqiptare, që e ndrydh demokracinë dhe që jep një mesazh dhune,” vijoi ai.

Qeveria nuk i është përgjigjur shqetësimeve të studentëve por ka mbajtur disa fjalimepropagandistike.

Zëvendësministri i Arsimit Arbjan Mazniku deklaroi se protestuesit nuk e kanë lexuar ligjin. Njëri prej protestuesve iu përgjigj kësaj duke thënë se zëvendësministri “është një idiot”.

Ndërkohë, Këshilli i Ministrave nuk e ka publikuar në faqen e vet zyrtare Kryeministria.al projektligjin që ka miratuar, duke shkelur standardet aktuale të transparencës. Mungesa e publikimit të akteve të debatueshme të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave është një praktikë e vënë re edhe më parë.

 Protesta-Per-Universitetin1

Protesta e studentëve kundër reformës së qeverisë mbi arsimin e lartë, reformë e cila synon të financojë universitetet private me fonde publike. Tiranë, 8 prill 2015. ‪#‎PërUniversitetin. Foto: BIRN‬

Protesta-Per-Universitetin2

Protesta e studentëve kundër reformës së qeverisë mbi arsimin e lartë, reformë e cila synon të financojë universitetet private me fonde publike. Tiranë, 8 prill 2015. ‪#‎PërUniversitetin. Foto: BIRN‬

http://www.reporter.al/pedagoget-e-universitetit-te-tiranes-i-bashkohen-studenteve-protestues/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest