Ligji i ri: Qeveria ju merr shtëpinë nëse s’paguani dritat

shtylla_tensioni

Ashpërsohet ligji për të gjithë ata që do të refuzojnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike. Nëse deri më tani, për këtë kategori, si sanksion më “ekstrem” ishte parashikuar masa me burg, tani do të bllokohen hipotekat e banesave.

Ky është ligji i ri për energjinë elektrike që u miratua sot në Komisionin e Ligjeve dhe pritet t’i kalojë për miratim edhe Kuvendit. Nëse keni më shume se 150 mijë lekë të reja energji të papaguar, qeveria do t’ju sekuestrojë banesën apo çdo pasuri tjetër që keni. Shuma e debisë prej 150 mijë lekësh është për konsumatorët familjarë, ndërsa për bizneset debia është mbi 200 mijë lekë.

Ndryshimet e prezantuara në Komisionin e Ligjeve nga zv. ministri i Energjisë, Ilir Bejtja, kanë hasur në kundërshtimin e opozitës, sipas së cilës këtu kemi të bëjmë me shkelje kushtetuese.

Ilir Bejtja u shpreh se ky projekt përcakton qartë shtyllat kryesore, si siguria për furnizimin me energji elektrike, dhe konfirmon pavarësinë ligjore të Entit Rregullator.

“Do bllokohet hipoteka e banesës, në rast se nuk shlyhen detyrimet e borxheve. Por edhe ne momentin e kalimit të pronës, nuk do të lejohet pa shlyer debinë ndaj kompanisë”.

Prej nëntorit të vitit të kaluar, qeveria ndërmori një fushtatë të ashpër kundër debitorëve të energjisë. Përveç ndërprerjes së energjisë, pati edhe arrestime të personave që vidhnin kilovatë.

Një risi tjetër që vendoset në ligjin për energjinë, ka të bëjë me kompanitë private që do të krijohen në vend, nga të cilat konsumatorët do të jenë të lirë të zgjedhin furnizuesit, sipas kushteve që këta të fundit do të vendosin.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest