Qeveria shqiptare shton kërkesat për informacione personale të përdoruesve shqiptar në rrjetin Facebook

mark-zuckerberg-facebook

Raporti i Transparencës së Facebook, tregoi se Qeveria e Shqipërisë ka shtuar kërkesat për informacione personale të mbajtura në llogaritë e përdoruesve të rrjetit të medias sociale Facebook. Sipas të dhënave të publikuara nga Facebook, autoritetet shqiptare dorëzuan në periudhën korrik­-dhjetor 2014, 16 kërkesa për informacion mbi 34 llogari.

Por Facebook raporton se ka dhënë informacion për vetëm 25 për qind të kërkesave. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2014, Shqipëria pati dorëzuar vetë, 4 kërkesa për 6 llogari Facebook. Qeveritë dorëzojnë kërkesa te gjigandët e internetit si pjesë e hetimeve të tyre ose në rastet kur informacioni i shpërndarë nga llogaritë e medias sociale përbën shkelje të ligjeve vendëse.

Facebook thotë se zakonisht autoritetet kërkojnë të dhënat bazë të një llogarie të dyshuar të lidhur me një aktivitet kriminal të rëndë si grabitjet me dhunë apo pengmarrjet, përfshirë të dhënat mbi numrat e identitetit dhe vendndodhjen e pajisjeve që kanë aksesuar llogarinë. Në disa raste kërkohet fshirja e të dhënave të një llogarie apo heqja e saj nga publikimi. Facebook nuk bën publike kërkesat sipas llojeve, por në disa raste, kërkesat për bllokim llogarish lidhen me propagandën e grupimeve të ndryshme terroriste si Shteti Islamik.

Nga ana tjetër, media sociale sugjerohet se po përdoret gjatë viteve të fundit edhe si mjet komunikimi për grupet e ndryshme kriminale, të cilat e gjejnë më të lehtë t’i shpëtojnë përgjimeve të mjeteve konvencionale të komunikimit si telefonia. Pavarësisht kësaj, ka shumë debate aktualisht nëse kompanitë e komunikimeve elektronike po bëjnë gjënë e duhur duke iu përgjigjur kërkesave të qeverive për të dhëna personale. Arsyetohet se qeveri të ndryshme mund të synojnë të shtypin kundërshtarët e vet politikë përmes kërkesave të tilla.

Këto kompani thonë se i vlerësojnë me ashpërsi kërkesat e qeverive dhe përputhjen e këtyre kërkesave me legjislacionet përkatëse. Rrjedhimisht, fakti që Shqipërisë i janë refuzuar 75 për qind të kërkesave për informacion që i kanë dërguar Facebook, sugjeron dobësi të bazës ligjore të këtyre kërkesave. Në raportin e ngjashëm të publikuar nga Twitter, autoritetet shqiptare kanë dorëzuar vetëm një kërkesë gjatë vitit 2014, kërkesë e cila nuk është plotësuar nga Twitter.

/Gezata Tema

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest