SHËNIM/Kur 8 Marsi kthehet në maskaradë

IMG_4759

Për “Historia Ime”, nga Entela Resuli

Shqiptarët vijojnë ta kalojnë 8 Marsin si një festë për gratë, siç bëjnë dhe kanë bërë shumë vende ish-komuniste.

Në rrjetet sociale edhe këtë tetë Mars, të gjithë djemtë dhe burrat e shoqëronin urimin me një foto me nënën e tyre.

Kjo datë në vendin tonë është shndërruar në një festë të përzjerë me elemente edhe të festës së nënës, edhe të Shën Valentinit. Mënyra e përkujtimit të kësaj dite vazhdon të jetë paradoksale.

Nuk dihet pse në një shoqëri ku gruaja më së shumti trajtohet si qenie thuajse e përbuzur, është po kjo shoqëri që gjen “forcën” thuajse të tallet duke festuar.

Të tallet pikërisht me pjesën më të persekutuar të saj, duke i sajuar një gjoja festë.

Nisur nga kjo, nuk dihet që në çdo 8 Mars, kush merr urime nga kush e për çfarë. 8 Marsi interpretohet e përjetohet në shumë mënyra në Shqipëri dhe në botë, por veçanërisht në Shqipëri, është tej reales.

8 Marsi në Shqipëri, nuk është tjetër,  veçse tërësia e kronikave të pafund, ku gratë vriten, kur gratë keqtrajtohen dhe fyhen në mënyrë sistematike, kur gratë nisen udhëve të botës, për t’u përdhosur deri në skaj, kur gratë ndihen si stoli të zvetënuara të një shoqërie që nuk dihet se në cilat shtigje është duke ecur.

8 Marsi, duke u përkujtuar në këtë mënyrë, me apo pa dashje kthehet në një maskaradë, ku burrat dhe gratë e kësaj shoqërie zgërdhihen me dinjitetin e tyre.

8 Marsi shqiptar është as më shumë dhe as më pak, por një profil i kësaj shoqërie, si të thuash një pasqyrë e saj.

Por ne nuk jemi vendi i vetëm që e kemi edhe festën e gruas, edhe ditën e nënës. Ballkani dhe ish-republikat sovjetike kanë të njëjtën përqasje.

Me mimoza, apo me lule të tjera, me dhurata të vogla, apo të mëdha, me festa e dreka, ku gratë mblidhen bashkë e kërcejnë me njëra-tjetrën, çfarëdo që të jetë, tek e fundit, kjo është një ditë vetëm për to.

Por a është tetë Marsi vetëm një datë kur duhet të kujtohemi për femrat?

Në fakt, çdo ditë duhet të jetë tetë Mars, ku gratë ashtu dhe burrat të jenë në mënyrë të barabartë në vendimmarrje, të jenë të barabarta në familje e kudo.

Duhet të jetë cdo ditë 8 Mars sepse unë besoj se ne kemi cdo ditë arsye për t’u kujtuar për nënat, gratë, motrat, vajzat tona.

This slideshow requires JavaScript.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest
  • erisa

    do e bejm cdo dite “vit i ri” sipas jush sa mir do ishte sikur jeta te ishte vetem “e bardh” por realisht nuk eshte ashtu!! jo vetem ketu ne shqiperi por ne asnje vend te botes,nuk do ishte e nevojshme te prisje 8 marsin qe te thoje STOP dhunes ndaj femres! por jo te thuash qe te jet 8 mars cdo dite,i bie qe grate te rrine ne tallava cdo dite :)