A na duhen “prokurorë jakobinë”? Pyet lapsi.al

Ramadan-Troci

Komenti më poshtë nga faqja lapsi.al

Këtë herë i famshmi prokuror Troci është shfaqur në Vlorë për të bërë një tjetër arrestim të bujshëm si ai i guvernatorit Fullani. Fatkeqësisht mes dy rasteve ka shumë ngjashmëri. Akti edhe njëherë kryhet në prag të fundjavës, ditën e premte. Bëhet i njëjti lloj arresti, ku gjykata merr vendim në mungesë dhe së fundi, e gjitha kjo arsyetohet me aftësinë e njerëzve që janë në poste drejtuese për të prishur provat e veprës së tyre të supozuar si penale. Por ky argument i tretë duket se fut ujë nga të gjitha anët. Së pari sepse në rastin Gjika, vepra për të cilën ai akuzohet, supozohet të jetë kryer plot katër vite më parë dhe arrestimi pas kaq kohësh ka pak gjasë të ketë lidhje me prishjen e provave. Së dyti, ligji shqiptar, ua mundëson prokurorëve që nëse ata i tremben manipulimit të provave, të kërkojnë pezullimin e zyrtarëve nga postet drejtuese pa shkuar drejtëpërdrejtë tek arrestimi. Por edhe në këtë rast nuk është aplikuar kjo normë. Përpos asaj nuk është marrë parasysh as fakti se Gjika nuk kish ndërmend të largohej. Mënyra sesi ai e përballoi procesin e parë që sapo u mbyll, është një dëshmi më shumë se ai mund të gjykohej në gjendje të lirë pa iu shmangur drejtësisë.

Por i katapultuari në Vlorë, Troci, ka shkuar drejtpërdrejt e tek vënia e prangave. A ishin të nevojshme ato në rastin Gjika? Ende është shpejt të thuhet. Vlora e konceptuar nga kryebashkiaku i saj që prej vitit 2003, ku kanë lulëzuar një mori ndërtimesh të dyshimta, që nga pallati tashmë i prishur i vjehërrit të Lulzim Bashës e deri tek shumëkatshet e panumërta, ka krijuar perceptimin populist të abuzimit. Mund të jetë i vërtetë. Por puna e një prokurori nuk është të ndjejë perceptimet, por të zbatojë ligjin. Dhe Ramadan Troci më shumë po jep shembullin e një shërbyesi jakobin, sesa të një njeriu të ligjit.

Dhe ka disa arsye që të bëjnë të mendosh për këtë. Nëse ai nisi në verë një çështje super të bujshme, atë të ish guvernatorit, do të qe në nderin e tij, në egon e tij profesionale dhe në moralin e tij, ta çonte atë deri në fund. Por ai vrapoi drejt brigjeve të Jonit, për të hedhur sërish të njëjtën shashkë. Dhe më e keqja është se kamzhiku i ligjit të Trocit, goditi përsëri, mbi një njeri pa forcë politike, të braktisur nga krerët e partisë së tij, të lëshuar nga Edi Rama, e madje në armiqësi të hapur me deputetin mëkëmbës të kryeministrit në Vlorë.

A është ky heroizëm apo thjeshtë pabythësi, kjo do të dalë në ditët e ardhshme. Por arrestimi i radhës na bën të dyshojmë edhe njëherë se mos kemi më shumë një përpjekje për show, sesa një luftë për drejtësi.

Ndoshta për koincidencë, këto dyshime ka vendosur përsëri t’i marrë mbi vete prokurori nga Dibra, që iu shfaq publikut, me syze mbi kokë dhe me çantë meshini ndër duar. Ai që shumëkush nxitoi ta quajë në gusht, heroin e drejtësisë. Urojmë që ai të mos jetë turpi i saj. Mishërimi i një prokurorie, të kapur dhe të paaftë, e cila nuk ka fuqi të godasë, as vrasësit politikë, as hajdutët me bllok në dorë, e për të fshehur këtë tredhje, nxiton të na japë shfaqe, për të bërë sikur po godet krimin dhe korrupsionin.

Duke shpresuar se këtë radhë, Ramadan Troci do të ketë kurajon t’i shkojë deri në fund pretendimeve të tij, Presidenti i Republikës duhet të matet mirë për emërimin e tij si kryeprokuror i Vlorës, në të kundërt do të jetë edhe ai një aktor më shumë, në farsën e drejtësisë që bën show. (lapsi.al)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest